Ekonomia holandeze ka hyrë në recesion pasi ra me 0.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit në krahasim me atë të mëparshëm, sipas vlerësimit të parë të publikuar nga agjencia e statistikave të vendit të mërkurën.
Kështu, ekonomia e pestë më e madhe në Eurozonë shënoi rënie për të dytin tremujor radhazi, pas një rënie prej 0.4 për qind në tre muajt e parë të vitit.
Rritja ekonomike holandeze në vitet e mëparshme 2021 dhe 2022 ishte afër 5 për qind, pas rimëkëmbjes nga rënia e shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
Recesioni i parë pas pandemisë u shkaktua nga një rënie në konsumin personal dhe eksportet, shoqëruar me inflacion të lartë që e bëri ushqimin më të shtrenjtë dhe rriti faturat e energjisë në Holandë dhe partnerët e saj tregtarë. Konsumi ra me 1.6 për qind dhe eksportet ishin 0.7 për qind më të ulëta se në tre muajt e parë të vitit.
Inflacioni në Holandë po ngadalësohet pasi arriti kulmin në 14.5 përqind në shtator të vitit të kaluar, por gjithsesi mbeti në një nivel relativisht të lartë prej 6 përqind në tremujorin e dytë të 2023.