Fund “vuajtjeve” të Bajernit, Kejn është zyrtarisht “bavarez”

“Bomberi” i kombëtares angleze, Hari Kejn ka kompletuar transferimin e tij, nga skuadra e Totenhamit drejt “bavarezëve” të Bajernit, pas shumë përpjekjesh të këtyre të fundit për realizimin e këtij kalimi.

Pas firmës me kampionët e Bundesliga, Kejn u shpreh mjaft i lumtur që tanimë është pjesë e Bajernit, me këta të fundit që “rekordmeni” dhe kapiteni i “tre luanëve”, i konsideron si një nga ekipet më të mira të botës.

“Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e Bajernit, një prej klubeve më të mëdhenj të botës. Unë kam thënë gjithmonë se dua të lëviz dhe të testoj veten në nivelet më të larta të futbollit”, u shpreh Kejn pas firmës me “bavarezët”.

Ndërkaq, kujtojmë se, për kartonin e sulmuesit 30-vjeçar, Bajerni ka derdhur në arkat e londinezëve plot 120 milionë euro, të ndara në 100 milionë euro bazë, si dhe 20 milionë të tjera në formën e bonusit. Përsa i përket kontratës persnaole, Kejn do të nënshkruar për 4 vite te kampionët gjermanë, ndërsa paga e kapitenit të Kombëtares së “3 luanëve” ende nuk është bërë publike, teksa pritet të bëhet mënjeherë pas firmosjes së kontratës.