Lideri i puçit në Niger dëshiron të krijojë qeveri transitore e cila do të mbetej në pushtet për “jo më shumë se tri vjet”. Gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, Tchiani i paralajmëroi shtetet e huaja kundër ndërhyrjes ushtarake në Niger. Ai tha se dëshiron të ketë “dialog kombëtar gjithëpërfshirës” brenda 30 ditëve dhe të konsultohet me të gjithë qytetarët e Nigerit. Dialogu kombëtar do të ofronte bazën për krijimin e një kushtetute të re, tha ai duke nënvizuar se vendimet do të merren “pa ndërhyrje të jashtme”. Komentet e tij vijnë pasi blloku rajonal i Afrikës Perëndimore tha se shefat e mbrojtjes së tij janë duke e përgatitur një plan për ndërhyrje ushtarake në Niger, nëse nuk kthehet rendi dhe ligji. Tchiani u bë lider i Nigerit muajin e kaluar, pas një grusht shteti tronditës, gjatë të cilit garda presidenciale e arrestoi dhe e rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Bazoum.
“Ata që kanë vendosur sanksione dhe kërcënojnë të vrasin mijëra nigerianë, duke shpresuar të përçajnë dhe të imponojnë vullnetin e tyre ndaj popullit tonë, mendojnë se mund të na bëjnë të pranojmë me forcë atë që është thellësisht e papranueshme. Ata duan të izolojnë vendin tonë në një kohë kur njerëzit tanë kanë më shumë nevojë për solidaritet për të përballuar më mirë pasigurinë. As Këshilli Mbrojtës i vendit dhe as populli nigerian nuk duan luftë dhe mbeten të hapur për dialog, por të kuptohemi qartë, nëse do të ketë çfarëdo lloji agresioni kundër nesh, nuk do të jetë lehtë sikurse besojnë disa, do të kenë para vetes 26 milionë nigerianë,” tha Abdurahaman Tchiani, lider i puçit në Niger. /alsat.mk