Osmani: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është interes parësor i sigurisë për BE-në

Ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani në fjalimin e sotëm në akademinë verore “Quo vadis Europa?”, në Santander të Spanjës, organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Borrell dhe Universiteti Ndërkombëtar Menendez Pelayo, tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është interes parësor edhe për vetë sigurinë e BE-së, njoftojnë nga MPJ.

“20 vjet pas Samitit në Selanik, ne kemi nevojë urgjente për një vizion afat-mesëm për rajonin tonë në korniza të Unionit”, nënvizoi Ministri.

Osmani theksoi se definimi i një rruge të qartë për zgjerimet e ardhshme me vendet e Ballkanit Perëndimor me vitin 2030 si synim të përcaktuar, paraqet një interes të lartë sigurie për vetë BE-në.

Njëherit, duke iu referuar nevojës për përfitime konkrete për qytetarët tanë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, e përshëndeti planin e ri të zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bazuar në konceptin “Më shumë integrim para anëtarësimit në BE”.

“Deri në anëtarësimin e plotë në BE, kemi nevojë për një vizion të përforcuar së bashku me hapa të besueshëm dhe realistë me qëllim avancimin e zhvillimit demokratik, përmirësimin e mundësive ekonomike dhe për inkurajimin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Ato nënkuptojnë rritje të fondeve të para-aderimit, qasje progresive në tregun e përbashkët, thellim të integrimit ekonomik rajonal, heqje të kuotave për produktet bujqësore dhe përfshirje të vendeve të rajonit në politikat tregtare dhe investuese të BE-së”, përfundoi Osmani.