“Pas vetëm dy ndeshjeve, e gjithë Bundesliga po flet për Granit Xhakën. Pas paraqitjes së jashtëzakonshme ndaj Gladbachut, ka lavde nga të gjitha anët”.
Kështu ka shkruar mediumi i njohur zviceran “20 Minuten”. Ky medium ka paraqitur momentin e mirë të cilin po e kalon Granit Xhaka pas kthimit në Bundesligë. Forma e Xhakës është “çështje” edhe për Kosovën. Ai është kapiten i Zvicrës, kundërshtares së ardhshme të Kosovës në kualifikimet për “Euro 2024”.
Xhaka pritet ta udhëheqë Zvicrën në fushë në ndeshjen në “Fadil Vokrri”, më 9 shtator. Dhe forma e lartë e tij në fillim të edicionit nuk është lajm i mirë për drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës. Xhaka, 30-vjeçar, la Arsenalin për ta vazhduar karrierën te Bayer Leverkuseni në Gjermani.
Kishte paraqitje të fuqishme ndaj Leipzigut, në fitoren 3:2 në xhiron hapëse. Të shtunën luajti tjetër ndeshje të madhe në fitoren 3:0 ndaj Borussia Moenchengladbachut, ish-skuadrës së tij.