BE-ja me shtete të reja anëtare deri në vitin 2030, vetë vendosim për hapin e radhës, ka shkruar zëvendëskryeministri për Çështje evropiane Bojan Mariçiq në “Fejsbuk” pas porosisë nga presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel se Bashkimi Evropian duhet që deri në vitin 2030 të jetë e gatshme për zgjerim të ri.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për proces shtetëror, ose vetëm për qëllime strategjike. Bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe suksesin e vendit. BE-ja ka dhënë një afat kohor dhe i ofron një perspektivë evropiane rajonit për integrimin evropian, prandaj pritja nuk duhet të jetë strategjia që ne zgjedhim. Detyrimi ynë është që të përfitojmë nga momenti dhe të kryejmë së bashku detyrat, me fokus të veçantë në reformat, të shpejtojmë që në vitin 2030 Maqedonia e Veriut të jetë shtet anëtare e BE-së”, thuhet në postimin e zëvendëskryeministrit Mariçiq.