Myrto Uzuni fitoi derbin e kuqezinjve me Vedat Muriqin të shtunën, teksa Granada iu imponua 3-2 Mallorcas. Sulmuesi beratas realizoi me 11-metërsh golin e tretë për skuadrën andaluze, duke e çuar rezultatin në 3-1, por kontributi i tij ishte shumë më tepër.
Uzuni, në përfundim të ndeshjes, ishte lojtari i dytë me notën më të lartë, 7.6, çka tregon se rëndësia e tej në vijën e parë të sulmit ishte e padiskutueshme. Specialistët e prestigjiozes Marca e kanë përfshirë sulmuesin kuqezi në formacionin më të mirë të javës së tretë, mes yjeve të tjerë të La Ligas. Krahas Uzunit, në dyshen e sulmit, është sulmuesi i Barcelonës, Ferran Torres.
Nuk mungon as talenti 16-vjeçar i “blaugranave”, Lamine Yamal, apo ylli i Realit të Madridit, Jude Bellingham.