BE përsërit kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian i ka përsëritur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave që u është kërkuar atyre për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut, por nuk ka dashur të përmendë afate kohore se kur mund të ndodhë një takimi i nivelit të lartë në Bruksel.

Këto qëndrime i ka shprehur për Radion Evropa e Lirë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

“Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e definuar shumë qartë për deeskalim, dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, tha Stano.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Policia e Kosovës njoftoi më 4 gusht për zvogëlimin për 25 për qind të prezencës së oficerëve të vet në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.