Merkato është në orët e fundit dhe zhvillimet e saj tashmë janë tepër dinamike.
Një nga ndryshimet e momenteve të fundit lidhet me Ansu Fati. Lojtari i Barcelonës ishte pranë transferimit te Brighton në Premier League me anë të formulës së huazimit.
Trajneri Roberto De Zerbi ishte një “fans” i madh i sulmuesit dhe ishte i bindur se mund ta përshtaste në mekanizmat e tij. Gjithçka ishte gati për prezantimin e tij dhe në orën 12 të mesditës ishte programuar edhe fluturimi me destinacion Anglinë. Por, për momentin gjithçka ka mbetur në vendnumëro me Ansu Fati që po merr kohën për të bërë zgjedhjen e duhur.
20-vjeçari ka oferta nga Spanja ku interes ka shfaqur Sevilla dhe Atletico Madrid, po ashtu edhe nga Tottenham. Ansu kërkon të bëjë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tij ndërsa nuk përjashtohet edhe ideja që ai të këmbëngulë për të qëndruar te Barcelona dhe të luftojë për një vend titullari në formacionin e Xavi Hernandez.
Tashmë, e ardhmja e sulmuesit është një ekuacion me shumë të panjohura dhe deri në mesnatë, Ansu Fati duket se do të mbajë në ankth të gjithë palët e përfshira. Nga kjo lëvizje, varen edhe shumë tratativa të tjera të merkatos, sidomos për Barcelonën që duke larguar Ansu Fati kërkon të lirojë një vend për Joao Cancelon apo edhe Joao Felix. /Supersport