Cikaleshi dhe Bajrami, optimist para sfidës me Çekinë dhe Poloninë

Kombëtarja e Shqipërisë, nisi përgatitjet në prag të përballjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami, u shprehën pozitiv para dy sfidave të rëndësishme që “kuqezinjtë” do të zhvillojnë, fillimisht ndaj çekëve në Pragë më 7 shtator dhe 3 ditë më vonë ndaj Polonisë, më 10 shtator në stadiumin ‘Air Albania’. Cikalleshi u shpreh se ëndrra e tij është që të arrijë sërish kualifikimin në finalet e një Europiani me Shqipërinë.

Sokol Cikaleshi, sulmuesi i Shqipërisë

“Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Europian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë, karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi, që fokusimi dhe dhe angazhim të jetë maksimal.”

 

Ndërkohë Nedim Bajrami, ndeshjet me Republikën Çeke dhe me Poloninë i vlerëson si mjaft të rëndësishme, ndërsa shtoi se të gjithë djelmoshat janë gati për këto sfidat. 24-vjeçari theksoi se Silvinjo ka pasur një impakt shumë pozitiv te ai, ndërsa vijoi duke thënë se ndjehet i lumtur që do ketë tifozë kuqezi edhe në Pragë

Nderim Bajrami, mesfushori i Shqipërisë

“Me Çekinë kemi një ndeshje shumë të vështirë, është një kundërshtar fizikisht i fortë. Po e përgatisim ndeshjen shumë mirë, jemi të gjithë gati dhe do japim maksimumin…..Besoj se të gjithë duhet të jemi në formë, nuk ka një lojtar apo dy që e ndryshojnë ndeshjen. Të gjithë duhet të jemi në formë, të përgatitemi sa më mirë e të luajmë me shpirt.”

Ndërkohë të gjitha biletat e vlefshme për ndeshjen Shqipëri – Poloni, që do të zhvillohet më 10 shtator, zyrtarisht janë shitur. Lajmin është konfirmuar edhe në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila falënderoi të gjithë tifozët shqiptarë që kanë vendosur të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Air Albania’ më 10 shtator, në mbështetje të kombëtarës kuqezi dhe i fton të krijojnë një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë respekt ndaj ekipit kundërshtar.