Një shkrim në kujtim të nobelistit Ferid Muradi

(Në karrierën time profesionale më është dhënë rasti të takohem me personalitete shumë të rëndësishëm nga vendi dhe bota, ose të përcjell ngjarje që më kanë lënë mbresa të pashlyeshme. Njëra nga këto ngjarje, pa kurrfarë mëdyshje, është vizita e nobelistit Ferid Muradi në vendlindjen e babait, pak kohë pasi e kishte marrë Çmimin Nobël për mjekësi. Atëherë, prej së afërmi kam parë madhështinë e njeriut që bëri revolucion me zbulimin e tij në sëmundjet vaskulare, e që për efekt përcjellës kishte dhe “viagrën”, që sigurisht ka qenë një sihariq për miliona “nevojtarë” në mbarë botën. Një personalitet i jashtëzakonshëm, që në anën tjetër, ishte po aq njeri sa sikush prej nesh, i cili di të ndjejë mallin dhe dhembjen dhe nuk përmbahet për t’u shpërgjyrer në lot duke përqafuar farefiset e tij në vendlindjen e babait.

Më poshtë sjell shkrimin që e kisha shkruar për “Flakën” gjatë vizitës në Llakavicë të Gostivarit dhe për takimet tjera që i pati, i ftuar nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, i ndjeri Muamer Nexhipi.

Siç dihet, Ferid Muradi më vonë u bë edhe anëtar nderi i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, qe pritur me nderime të mëdha edhe në Shqipëri e Kosovë, kurse shkrimtari dhe publicisti Halil Zendeli(përndryshe bashkëvendas i babait të tij, shkroi monografinë,e cila më pas, përveçse në Maqedoni, u promovua edhe në Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Tiranë)

Lotë çmalljeje të nobelistit në vendlindjen e babait

– “Unë nuk kam më forcë dhe ndjenja të shikoj këtë tokë. Jam shumë i lumtur që vizitoj fshatin ku ka lindur im at, i cili më ka folur shumë për të!”

Shkruan: Daut Dauti

Shkup, 6 tetor – Këto ishin fjalët e nobelistit për mjekësi për vitin 1999, dr. Ferid Muradi, të shoqëruara me lotë gëzimi e përmallimi, nga bina e vendosur në oborrin e shkolës së fshatit Llakaicë të Gostivarit, ku kishte jetuar dikur babai i tij, Murat Ejupi, para se të emigronte në Amerikë. Njeriu që kishte bërë një shpikje me të cilën do t’ua lehtësojë jetën njerëzve të sëmurë nga zemra, arteroskleroza, madje edhe nga kanceri, u tregua për një çast ngashërimi, “i dobët”, duke shkelur tokën ku kishte lindur i jati. Dëshmoi se edhe njerëzit më të mëdhenj, mbeten njerëz. “Babai na ka rrëfyer shumë për këtë fshat dhe unë me dy vëllezërit tjerë kur ishim të vegjël, qemë dashuruar sikur të kishim qenë në të”, tha ai para fshatarëve në fjalën e shkurtër, duke u premtuar se kjo nuk do të jetë vizita e fundit e tij.

“Jemi krenarë që nga ku fshat i vogël, doli një njeri kaq i madh”, ishte porosia e llakavicasve, që u lexua në solemnitetin e pritjes. “Ishin kushtet e vështira ekonomike, sociale e politike midis dy luftërave, që ndikuan që të largohet baba juaj nga fshat piktoresk”, u tha më tutje në këtë fjalë rasti duke iu drejtuar dr. Muradit, duke nënvizuar se i ati, Murat Ejupi, para së gjithash e donte arsimin dhe mu për këtë kishte merita në përpjekjet për hapjen e shkollave të para, kurse dashurinë ndaj arsimit, ai e kishte dëshmuar edhe me shkollimin e fëmijëve të vet.
Momentet më prekëse për dr.Muradin ishin takimet me anëtarët e familjes së mbetur, kushërinjve dhe mbesave të babait. Katër mbesat (bijat e Neshatit, të vëllait të dr. Muradit, me gruan e parë të babait), Lutfia, Rexhebija, Vahidja, dhe Minibja, me anëtarë të tjerë të familjeve të tyre dhe kushërinjve tjerë, e pritën kushëririn nga Amerika me fotografitë e vjetra familjare, për të përkujtuar se është i familjes së tyre, por për ta mallëngjyer edhe më shumë. Vetëm koha e shkurtër e qëndrimit, për shkak se ai që nesër duhet të udhëtonte për Maroko, ku do të mbante një ligjëratë, nuk la që të rrijë më gjatë me anëtarë të brezave të reja të familjes së babait, por u premtoi se do të kthehet përsëri dhe në ndarje e bëri një fotografi për kujtim me ta. Në shenjë respekti dhe kujtimi, dr. Muradit, fshati i dhuroi një pikturë të Reshat Ahmetit, librin “Dëshmi të gjalla” të Nazif Selimit, veshmbathje kombëtare, shumë lule, e shumë dëshira për ardhje të reja.
Para se të shkonte në Llakavicë, dr. Muradit iu organizua një pritje madhështore edhe në Gostivar. Ai mori pjesë në solemnitetin e organizuar në Këshillin Komunal ku kryetari i Komunës, Jamin Nuredini, ia dorëzoi Pllaketën e Artë si Qytetar Nderi i Gostivarit, për çka Këshilli Komunal kishte sjellë vendim më 29 korrik të vitit të kaluar. Ai dr.Muradit iu drejtua me fjalët se është shqiptari i dytë, pas Nënë Terezës, që mori çmimin Nobël, prandaj sot Gostivari mburret me ju, pasi ju, si ceku Nuredini, me shpikjen tuaj jo vetëm që plotësoni nevojat e kësaj gjenerate, por edhe të gjeneratave të ardhshme.

Duke iu falënderuar për këtë nder dhe për pritjen, nobelisti dr.Ferid Muradi, midis tjerash foli për gjenet familjare që i kanë rrënjët në këtë trevë. Ai tha se i ati, viteve të fundit të jetës, kishte kërkuar në Amerikë ndonjë vend që do t’i ngjante vendlindjes sëtij, prandaj ishte vendosur në Virxhinia.

Në ardhjen e tij të parë, dr. Muradit iu organizua kudo pritje madhështore.

Dr. Ferid Muradi – i biri i Murat Ejupit nga Lllakavica e Gostivarit, i cili mërgoi në Amerikë për të gjetur jetë më të mirë, dje dhe sot, përveç takimeve emocionuese në Gostivar dhe Llakavicë, pati takime zyrtare në nivele më të larta. Qëndrimi i parë në Maqedoni, është në organizim të Ministrisë së Mërgimit. Takimet zyrtare filluan dje pasdite, kur nobelistin Muradi e priti zv.ministri i shëndetësisë, Muharem Nexhipi, kurse gjatë ditës së sotme pati takime edhe me zëvendësministrin e punëve të jashtme, Boris Trajkovskin, në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dr.Muharem Nexhipi ndan përshtypje tepër emotive nga takimi me mysafirin e rrallë. Ai midis tjerash deklaroi: “Pata nderin të bisedoj shumëçka rreth problemeve dhe situatës në Maqedoni dhe me gjithë atë që na intereson për kontaktet me të gjitha autoritetet e mëdhë shqiptare në botë. Me të vërtetë kaluan një mbrëmje shumë të këndshme dhe ramë dakord se komunikimi duhet të jetë shumë i afërt dhe më i shpeshtë me autoritetet tona në Amerikë dhe Evropë. Sepse kemi shumë shqiptarë që kanë dhënë kontribut për mbarë civilizimin me të arriturat e tyre në fusha të ndryshme”. Z.Nexhipi poashtu na njoftoi se në takimin që z. Muradit pati në Ministrinë e Shëndetësisë (ku e priti ministri Dragan Danillovski), është biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e shkencës së mjekësisë, me theks të veçantë në specializimin e mjekëve nga Maqedonia në Amerikë, kurse është biseduar edhe për mundësinë që ai të mbajë ligjërata në unviersitetet e këtushme. Dr.Nexhipi me këtë rast do të veçojë se nga takimet që pati me mysafirin amerikan me prejadhje shqiptare, është shqyrtuar mundësia që ai të majë ndonjë ligjëratë edhe në Universitetin e Tetovës. Ai thotë se dr.Muradi ka qenë mjaft i emocionuar kur i ka folur për ngazhimin e profesorëve dhe studentëve të UT-së dhe pikërisht për këtë dëshiron të mbajë ndonjë ligjëratë në këtë vatër të arsimit sipëror dhe si kohë kur mund të realizohet kjo, ai përmendi qershorin e vitit të ardhshëm.

Dr. Ferid Muradi sot vizitoi edhe Akademinë Maqedonase të Arteve dhe Shekencave, me ç’rast kryetari Ksente Bogoev e njoftoi për veprimtarinë e këtij institucioni të lartë. Ai me këtë rast e vizitioi Qendrën Hulumtuese për Inxhenering Gjenetik dhe Bioteknologji të AMSHA-s. Siç kuptojmë, gjatë vizitës në AMSHA, nga nikoqirët ka rënë propozimi që dr.Ferid Muradi të bëhet anëtar i këtij institucioni.

Në Qeverinë e Maqedonisë iu shtrua një drekë solemne, ku morën pjesë nënkryetari i Qeverisë, Bedredin Ibrahimi, ministri i Mërgatës, Viktor Trenevski, si nikoqir, ministri i Shëndetësisë, Dragan Danillovski, ai i Vetadministrimit lokal, Xhevdet Nasufi, zëvendësministri i Shëndetësisë, muharem Nexhipi etj. Pas kësaj dreke, dr. Muradi dha një deklaratë të shkurtër ku shprehu kënaqësinë që gjendet për herë të parë në vendin ku ka lindur i ati. Kjo është një vizitë e shkurtër, tha ai, por shumë produktive, me takime me ministra të ndryshëm, me të cilët diskutuam mundësitë e bashkëpunimit në lëmin e shkencës, mjekësisë dhe hulumtimeve midis Universitetit të tij dhe atyre të Maqedonisë. Mezi pres që të kthehem sa më shpejtë këtu, për 3-6 muaj, u shpreh ai në fund të deklaratës. Në pyetjen e vetme që i shtruan gazetarët, (të cilët, sipas deklaratës, preferuan ta intervistojnë për redaksitë e tyre), dr. Muradi foli për shpikjen e tij dhe efektet nga aplikimi gjerë në mjekësi. Aplikimi i këtij zbulimi tashmë ka filluar në shumë vende. Ai ka ndikim të madh në kurat shëndetësore për pacientë të ndryshëm, si për fëmijët që lindin para kohe, të sëmurët e zemrës, të organeve të tretjes etj. Rezultatet nga aplikimi në vend të ndryshme, tha ai, janë të kënaqshme, duke shtuar se ky zbulim do të ndikojë në të ardhshmen në perfeksionimin e shumë ilaçërave, si përshembull ato kundër arterosklerozës, artritisit e ndoshta edhe për kancerin.

Vizita e Nobelistit dr. Ferid Muradi, ishte e shkurtër por shumë e ngjeshur dhe me shumë emocione. Ai e përfundoi vizitën tepër i kënaqur që më në fund e shkeli dheun e vendlindjes së babait, që u takua dhe u njoftua edhe me anëtarë të tjerë të familjes së mbetur këndej. Një çmallje e përjetuar me lotë. Ai u nda i kënaqur edhe nga takimet me zyrtarë të lartë të Maqedonsië dhe me mundësinë për bashkëpunim.Shkoi me premtimin se kjo vizitë nuk do të jetë e fundit.(Flaka, 7 tetor 1999)

(Nga libri “Pa biçikletë”)