“Dikush do të vdesë e do ta shihni me sytë tuaj këtë gjë”

Është kjo deklarata tronditëse që ka dhënë tenisti rus Daniil Medvedev, numri 3 në botë, që nuk përdor diplomaci në lidhje me kushtet ekstreme që po luhet Grand Slam i “US Open”. Në stadiumin qendror “Arthur Ashe” temperaturat ishin nga 34 deri 39 gradë dhe lagështia 50% në ndeshjen që Medvedev fitoi ndaj Rublev. Organizatorët u përpoqën të zgjidhnin problemin duke mbyllur përgjysëm tavanin lëvizës të stadiumit, por kjo s’mjaftoi. Duke folur pas ndeshjes, Medvedev ishte i ashpër në deklaratat e tij.

 

“Nuk mund ta imagjinoni vapën këtu. Një tenist do të vdesë në fushë dhe ju do ta shihni atë gjë duke ndodhur me sytë tuaj. Kushtet e lojës ishin të tmerrshme, brutale. E vetmja gjë pozitive ishte se ajo ishte njësoj për të dy tenistët. Pati luhatje por kjo ishte normale. Në fund të setit të parë nuk isha në gjendje të shihja topin. Kjo vlen edhe për Rublev. Para cdo pike më thoshte që nuk arrinte dot të vraponte. Kisha frikë se ai mos binte nga momenti në moment”, tha Medvedev.

 

 

“Ishim të dy të lodhur, djersitnim si të cmendur, përdorën peshqirë pafund. Sapo pashë fytyrën e Rublev në dhomën e zhveshjes, ishte pa gjak, i verdhë, pa jetë. Dua që njerëzit të ndërgjegjësohen, nuk duhet që dikush të humbasë jetën në këto kushte. Kur termometri kalon një shifër të caktuar duhet marrë një vendim,” tha në fund Medvedev.