FFK reagon: Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit

Federata e Futbollit e Kosovës e ka njoftuar opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër. Ditët e fundit në Kosovë ka lulëzuar “tregu i zi” sa i përket biletave. Ata po shiten me çmime të larta në rrjetet sociale.

Në secilën hyrje të stadiumit funksionon sistemi digjital dhe do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave të personalizuara. Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit, me të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë në parandalimin e keqpërdorimit të biletave për ndeshje.

Andaj, FFK fton qytetarët që të mos bien pre e mashtruesve në tregun e zi dhe çdo abuzim me bileta ta paraqesin tek organet e rendit. Kosova dhe Zvicra përballen të shtunën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani./Lajmi/