Anhel Di María, sipas ESPN argjentinase, ka vendosur t’i thotë lamtumirë kombëtares pas edicionit të ardhshëm të “Copa América”-s, që do të luhet midis 20 qershorit dhe 14 korrikut 2024, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me Argjentinën, sulmuesi anësor fitoi Kupën e Amerikës në 2021 dhe Kupën e fundit të Botës, të mbajtur vitin e kaluar në Katar. Në verën e vitit 2024 ai do të jetë 36 vjeç dhe ky do të jetë momenti i zgjedhur nga Di María për t’i dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren.
Di María nënshkroi me Benfikën deri në fund të këtij sezoni, por presidenti i “shqiponjave” dëshiron që ai të qëndrojë edhe një vit. Pas tërheqjes nga Argjentina, sulmuesi, i cili ka luajtur 5 ndeshje këtë sezon, ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë një asist, do të mund të fokusohet vetëm te Benfika.