Çmimet e produkteve bazë pritet të ngrijnë! Bekteshi: Do të ketë ulje lineare të të gjitha produkteve ushqimore…

Marketet nuk do të kenë aksione apo promocione për produkte të caktuara, njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, përcjell TV21.

Kjo masë po vendoset sepse tregtarët në këtë mënyrë abuzonin me çmimet dhe qytetarëve u shisnin produkte me afat të shkurtër.

Vendimi për ngrirjen e çmimeve do të merret me urdhër të dielën. Ministri Bekteshi do të ketë takim me pronarët e marketeve për të njoftuar masat e reja.

“Është vënë re se disa zinxhirë supermarketesh po bëjnë mashtrime me mundësitë për të bërë aksione dhe promocione apo fushata të caktuara. Për të qenë të qartë si për konsumatorët ashtu edhe për qytetarët, kjo mundësi nuk do të jetë e disponueshme deri më 30 nëntor. Të ketë të paktën 10% ulje lineare të të gjitha produkteve ushqimore në Maqedoni”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.