BDI: Beteja midis forcave integruese dhe izoluese në VMRO bëhet në kurriz të shtetit dhe qytetarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim po ndjek me vëmendje shqetësimin e madh në rradhët e VMRO DPMNE-së dhe ndasitë e thella që po shfaqen në betejēn midis integrimit dhe izolimit.

Kjo betejë e brendshme midis forcave në VMRO-së që duan integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe atyre që preferojnë izolimin po zhvillohet në kurriz të vendit dhe qytetarëve, por edhe duke keqpërdorur institucionet e vendit, proceset si dhe partitë politike dhe liderët partiak.

Në intervistën e tij, z. Ali Ahmeti ka folur për procesin e negociatave të Përzhinos dhe takimeve me z. Zaev dhe z. Gruevski mbi temën e tejkalimit të situatës nëpërmjet të procesit të së vërtetës dhe pajtimit.

Në këto takime të liderëve në klubin e deputetëve, që janë zhvilluar edhe në dijeni të komunitetit ndërkombëtar dhe të udhëheqësive partiake, u formua grup pune i përbërë nga Oliver Spasovski, Nikolla Todorov dhe Artan Grubi.

Ndërsa ndryshimet në Kodin Penal fillimisht u aktualizuan nga VMRO para ndryshimeve kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës.

Më pas, Kodi penal ishte gjithashtu kërkesë edhe e kryetarit të ri të VMRO DPMNE Hristijan Mickoski në takimet e liderëve dhe ato bilaterale, por pas distancimit të tij nga ish udhëheqësia e VMRO DPMNE-së, edhe përkundër pajtimit të LSDM-së, ai u tërhoq nga kjo kërkesë.

As shteti, as qytetarët, as mediat, as amerikanët dhe europianët, as LSDM e BDI nuk janë armiq të VMRO DPMNE-së, por të gjitha forcat progresive në vend po ia shtrijnë dorën VMRO-së që të heq dorë nga politikat izoluese dhe të bëhet pjesë e Maqedonisë europiane.