Alegri me ndryshime përball të Leçes dhe Ulber Ramadanit

Skuadra e Juventusit do të përballet me Leçen e Ylber Ramadanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të në Seria A. Në prag të këtij dueli, trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Alegri është shprehur optimist për rezultat pozitiv, edhe pse ka paralajmëruar disa ndryshime në formacion.

“Duhet të luajmë ndeshjen e nevojshme për t’u rikthyer te fitorja dhe për të fshirë disfatën e keqe kundër Sasuolos. Gjithashtu duhet të mësohemi me faktin se tani kemi vetëm një shans në javë për ta përkthyer punën stërvitore në performancë.

 

Do të më duhet të vlerësoj stërvitjen në një nivel fizik sot. Federiko Gati ka 26 ndeshje me Juventusin, ai duhet të qëndrojë i qetë, Shçezni do të jetë portieri titullar. Kemi një problem të vogël me Kinin, i cili pati një problem në stërvitje, ndërsa të tjerët janë të gjithë mirë. Kieza shpenzoi shumë energji të shtunën, duhet ta vlerësoj, njëri prej tij dhe Vlahoviç mund ta nisin nga pankina, por ndryshimet do të bëjnë diferencën. Duhet të qëndrosh në lojë, i përqendruar, pa u nervozuar dhe Dushani duhet të rritet në këtë aspekt, por do ta bëjë pasi është ende i ri.

 

Duhet të vazhdojmë të punojmë në ekuilibër, ne jemi Juventus dhe kemi një detyrim për të arritur gjithmonë më të mirën. Ka presion dhe një ndjenjë përgjegjësie, por ne vazhdojmë rrugën tonë me një sy nga e ardhmja”, deklaroi Alegri.