Skenaristët e Hollivudit, greva e të cilëve ka paralizuar industrinë e filmit për gati pesë muaj, thanë mbrëmë se kishin arritur një marrëveshje në parim me studiot që do t’i lejonin ata të kthehen në punë.
– Ne kemi arritur një marrëveshje në parim që mund të çojë në një marrëveshje të re pagash, tha në një letër drejtuar anëtarëve Shoqata e Shkrimtarëve të Hollivudit (WGA), duke shtuar se marrëveshja ka të bëjë me “mbrojtjen e skenaristëve në të gjithë sektorët e aktiviteteve të tyre”.
Në letrën, të cilën e kanë parë disa agjenci të lajmeve, nuk jepen detaje të marrëveshjes, por bëhet me dije se detajet janë duke u përpunuar dhe fjalën e fundit do ta thonë anëtarët.
Disa mijëra skenaristë të filmave dhe televizioneve kërkuan paga më të mira, çmime më të mira në para për krijimin e shfaqjeve dhe filmave hit dhe mbrojtje nga inteligjenca artificiale në fillim të majit.
Aktorët iu bashkuan atyre në mes të korrikut.