Balotelli i vetëofrohet kuqezinjve: Jam gati, nëse Milani ka nevojë

Mario Balotelli di gjithnjë si të fitojë vëmendjen dhe së fundmi e bën këtë duke iu vetëofruar Milanit. Sulmuesi që është pjesë e Adana Demirspor, shprehet se është gati të rikthehet te kuqezinjtë nëse ata kanë nevojë për një zëvendësues të Olivier Zhiru.

“Problemi që ka Milani është se nëse Leao nuk është mirë, atëherë edhe skuadra nuk është mirë. Milani është shumë i varur nga Leao.

Zëvendësuesi i Zhirus?

Nëse Milani ka nevojë, atëherë unë jam gati. “San Siro” nuk është një stadium i zakonshëm dhe jo të gjithë ia dalin nën atë presion. Përveç lojtarëve të fortë dhe me cilësi, drejtuesit duhet të mendojnë të ofrojnë edhe lojtarë me shumë personalitet”, tha Balotelli.

 

Ndër të tjera, ish-sulmuesi i kombëtares komentoi edhe mbi Juventusin, duke theksuar se i vjen keq për momentin e vështirë që po kalon klubi bardhezi.

 

“Ta shohësh Juventusin në vështirësi të vjen keq. Shçezni gaboi ndaj Sasuolos, por nuk është për t’u masakruar. Vlahovic është shumë i fortë dhe ka nuhatje për golin, nuk bën dot më shumë sepse skuadra nuk e furnizon. Shumë nga ata që luajnë në Serie A, në fakt nuk janë për Serie A. Por, e sigurt është se Vlahovic është një lojtar për Juventusin. Të vetmit lojtarë që do të bënin ndryshimin te Juventus në këtë moment do të ishin Ronaldo me Mesin”, u shpreh Baloteli.