Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve, sot në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive është shënuar përmes një Punëtorie në të cilën morën pjesë nxënës të shkollave fillore nga komuniteti boshnjak në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Krahas Zëvendës ministrit z. Xhabir Doko, të pranishëm në këtë Punëtori ishin dhe Eran Kurtish – Drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive si dhe Admir Ujkanoviq – Drejtor i Drejtorisë për Afirmimin dhe Avancimin e Kulturës së Pjesëtareve të Bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Jam veçanërisht i lumtur që me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, në ministrinë tonë kemi mysafirë të mrekullueshëm, të cilët e ndriçuan ditën e sotme me energjinë dhe entuziazmin e tyre. E ardhmja u përket të rinjve dhe jeni ju që do t’i jepni formë shoqërisë sonë në vitet e ardhshme, drejt një vendi më të mirë dhe më progresiv për të jetuar. Unë dua që këtu të ndiheni si në shtëpinë tuaj, sepse kjo ministri është shtëpia e të gjitha bashkësive në vendin tonë. Jam i bindur se sot, përmes talenteve dhe aftësive tuaja, do të mësojmë gjëra të reja për traditën dhe kulturën e pasur boshnjake, e cila në thelb është pasuria e përbashkët e vendit tonë dhe kjo punëtori artistike do të kthehet në një përvojë të këndshme që do të zgjojë kujtime të mrekullueshme për ju në të ardhmen. Gëzuar 28 Shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve”, është shprehur kështu Zëvendës ministri Doko.
Ndryshe, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do të vazhdojë të ndërtojë ura bashkëpunimi ndërmjet të gjithë pjesëtarëve të bashkësive etnike në mbarë vendin, duke ushqyer diversitetin e tyre kulturor dhe traditat që janë gërshetuar në konceptin për një shoqëri të barabartë për të gjithë.