Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Metju Loson, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e projektit për mentorimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Drejtorisë për NATO-n dhe Çështjet Politike dhe të Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, njoftojnë nga MPJ.
Ambasadori Lason tha se Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s.
“Mbretëria e Bashkuar ishte partner i vazhdueshëm në mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s. Ky projekt është edhe një shembull tjetër i mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Maqedoninë e Veriut si aleate e NATO-s, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve dhe aftësive në mënyrë që ajo të vazhdojë të kontribuojë dhe të përmbushë rol më të rëndësishëm si anëtare e NATO-s”, tha ambasadori Loson, duke shtuar se donacionet e Mbretërisë së Bashkuar në formën e pajisjeve, sigurimit të instruktorëve të trajnimit, dërgimit të këshilltarëve dhe pjesëmarrjes në stërvitjet e përbashkëta kontribuuan në përmbushjen e qëllimit të përbashkët, sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Projekti, shtojnë nga MPJ, është paraparë të zgjasë deri në mars të vitit 2024 dhe duke dërguar ekspert rezident pritet të kontribuojë në pjesëmarrjen e shkathët dhe me kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme si dhe ekspertëve civilë në punën e strukturave të NATO-s. Gjithashtu, projekti duhet të kontribuojë në gatishmërinë e përgjithshme të institucioneve tona për të siguruar menaxhim shumë efektiv dhe efikas të roleve politike në fushën e politikës së sigurisë dhe çështjeve të sigurisë.