Bashkimi Evropian ka lëshuar një paralajmërim për Elon Muskun që të respektojë ligjet e reja gjithëpërfshirëse për lajmet e rreme dhe propagandën ruse, pasi X – i njohur më parë si Twitter – u zbulua se kishte raportin më të lartë të postimeve me dezinformata nga të gjitha platformat e mëdha të mediave sociale, shkruan The Guardian.
Raporti i dezinformatave nxjerr për herë të parë shkallën e lajmeve të rreme në mediat sociale në të gjithë BE-në, me miliona llogari të rreme që u hoqën nga TikToku dhe LinkedIn.
Facebooku ishte shkelësi i dytë më imadh, sipas raportit të parë që regjistronte postime që do të konsiderohen të paligjshme në të gjithë BE-në sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), i cili hyri në fuqi në gusht.
Megjithatë, Facebooku dhe gjigantë të tjerë të teknologjisë, duke përfshirë Google, TikTok dhe Microsoft, janë regjistruar në kodin e praktikës që BE-ja hartoi për të siguruar që ata të mund të përgatiteshin në kohë për të vepruar brenda kufijve të ligjeve të reja.
Twitter la kodin e praktikës, por sipas ligjit të ri është i detyruar të respektojë rregullat ose të përballet me ndalim në të gjithë BE-në.
Raporti prej 200 faqesh është një përshkrim i punës që platformat e mëdha kanë bërë në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 për t’u përgatitur për pajtueshmërinë me ligjin e ri.
BE-ja është veçanërisht e shqetësuar për propagandën e vazhdueshme ruse në mediat sociale përpara zgjedhjeve në Sllovaki të dielën dhe në Poloni më 15 tetor.