Turqi, sulm terorist para MPB-së

“Njëri nga terroristët hodhi në erë veten dhe terroristi tjetër u neutralizua. Gjatë zjarrit kanë mbetur të plagosur lehtë dy policë. I uroj shërim të shpejtë heronjve tanë. Lufta jonë do të vazhdojë pa pushim derisa terroristi i fundit të neutralizohet” – Ali Jerlikaja, Ministër i Brendshëm i Turqisë.

Pas incidentit, hyrjet dhe daljet në Parlament u ndaluan përkohësisht, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë nisi një hetim. Sipas mediave turke, njëri nga terroristët kreu një sulm me armë me rreze të gjatë dhe më pas hodhi veten në erë. Tjetri po ashtu ka qëlluar me të njëjtin tip arme por është neutralizuar nga rojet e sigurisë. Ndërkohë, është konstatuar se dy terroristët kanë vjedhur automjetin që përdorën për sulmin në fshatin Çatallolluk të provincës Kajseri, nga veterineri Mikail Bozllaan. Mediat turke raportojnë se dy terroristët i kanë bllokuar rrugën veterinerit, e kanë vrarë duke e qëlluar në kokë dhe më pas e kanë tërhequr zvarrë për ta hedhur në një kanal. Presidenti i Turqisë, Erdogan tha se terroristët që përpiqen të shkatërrojnë paqen dhe sigurinë në Turqi nuk do të kenë kurrë sukses.

“Të poshtrit që synuan prishjen e qetësisë dhe sigurisë së qytetarëve, nuk i arritën qëllimet e tyre dhe nuk do t’i arrijnë kurrë. Akti i mëngjesit të sotëm ku dy kriminelë u neutralizuan si rezultat i ndërhyrjes në kohë të njësive tona policore, janë përpëlitjet e fundit të terrorizmit”. – Rexhep Taip Erdogan, President i Turqisë. /alsat.mk