Sprovat në muajin tetor për Milanin, 4 transferta të vështira

Pas asaj disfate të rëndë në derbi ndaj Interit, Milani e ka marrë veten dhe ka ditur të reagojë në mënyrën më të mirë të mundshme. “Kuqezinjtë” janë me 18 pikë pas shtatë javëve të para në Serie A, po aq sa edhe Interi që mban për momentin kreun e renditjes. Por, provat e vërteta për Milanin do të nisin në tetor, aty ku pesë sfidat e ardhshme do të jenë të vështirësisë maksimale dhe mund të tregojnë më shumë për forcën që zotëron organika e trajnerit Stefano Pioli.

E para është ajo në Ligën e Kampionëve ndaj Borusia Dortmund këtë mesjavë. Në transfertën gjermane, Milani ka nevojë për tre pikë duke qenë se ka barazuar në sfidën e parë ndaj Njukasëllit, ndërsa në këtë grup është edhe Paris Sen Zhermeni.

Pas rikthimit nga Europa, “kuqezinjtë” i pret një transfertë delikate ndaj Xhenoas. Më pas mund të vijë një moment “frymëmarrje” duke qenë se kampionati ndërpritet nga pauza e kombëtareve. Me t’u rikthyer në Serie A, Milani pret në shtëpi Juventusin, ndërsa më pas vjen transferta ndaj Parisit në Ligën e Kampionëve dhe për ta mbyllur tetorin, do të udhëtojë edhe në drejtim të Napolit.

Sfida tepër të vështira, për më tepër që në këtë kalendar, “kuqezinjtë”, katër nga pesë ndeshje i luajnë në transfertë.