Trajneri Silvinjo publikoi listën e futbollistëve për sfidën kundër Çekisë

Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo publikoi listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e datës 12 tetor ndaj Republikës së Çekisë dhe atë miqësore ndaj Bullgarisë më datë 17 tetor.

Bie në sy rikthimi i Armando Brojës. Sulmuesi ka “hedhur pas krahëve” dëmtimin dhe për herë të parë do të jetë nën urdhrat e teknikut brazilian të kombëtares ndërsa jashtë liste ka mbetur Odise Roshi teksa është konfirmuar pjesa tjetër e futbollistëve.

Kujtojmë se ndeshja ndaj Çekisë është e rëndësisë së veçantë pasi në rast të një rezultati pozitiv, “kuqezinjtë” do të bënin një hap të madh drejt kualifikimit për në Euro 2024 që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani. Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”./Supersport/