Jakin i “detyruar” të ftojë edhe dy shqiptarë për sfidën eliminatore

Pas anulimit të ndeshjes me Izraelin, kombëtarja e Zvicrës do të luaj vetëm një ndeshje në muajin tetor në kuadër të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian “Euro 2024”. Por, tani ka probleme te Zvicra, ku pas largimit të Niko Elvedit nga grumbullimi si pasojë e një lëndimi në gju, edhe Ruben Vargas e Noah Okafor do të mungojnë gjithashtu në ndeshjen ndaj Bjellorusisë.

Vargas e Okafor do të mungojnë të dielën e 15 tetorit për shkak të lëndimeve. Vargas mungon si pasojë e një lëndimi në muskul, ku edhe mungoi në ndeshjen e fundit të Augsburgut në Bundesliga kundër Darmstadt. Ndërkaq, sulmuesi i Milanit, Okafor do të mungojë për shkak të një lëndimi të lehtë në kokë.

Siç bëhet e ditur nga “Blick.ch”, sipas federatës, trajneri i Zvicrës, Murat Jakin ka reaguar menjëherë për të mbuluar mungesat e Okafor dhe Vargas.

Bëhet e ditur se dyshja me prejardhje shqiptare, Andi Zeqiri dhe Uran Bislimi kanë marrë ftesë nga Jakin për ndeshjen ndaj Bjellorusisë.