Për Ernest Muçin sekreti i kësaj skuadre të Kombëtares është dëshira e të gjithë çunave për të bërë mirë dhe për t’u kualifikuar në EURO 2024. Duke folur për mediet në prag të miqësores me Bullgarinë, Muçi u shpreh se ka marrë mesazhe nga shokët e skuadrës së Legias pas fitores ndaj Çekisë. Ndërsa më tej sulmuesi i Shqipërisë theksoi se shpreson që së shpejt edhe ai vetë të bëjë gola të bukur me Kombëtaren, ashtu si Asani.
Cili është sekreti i kësaj skuadre?
“Të gjithë çunat kanë dëshirë dhe objektiv që të shkojmë në Europian, të gjithë jemi shumë të lumtur që morëm një fitore të madhe me Çekinë dhe tani do fokusohemi te këto ndeshje të mbetura. Jam i lumtur që marrë atë lloj afeksioni nga tifozët dhe nga çunat që më duan. Se kush luan e vendos trajneri dhe ai po bën më të mirën”.
Miqësorja me Bullgarinë?
“Këtë ndeshje nuk e shohim shumë si miqësore, por si një ndeshje që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë para tifozëve tanë, ndaj duam ta fitojmë këtë ndeshje. Jemi shumë mirë, kemi marrëdhënie shumë të mirë të gjithë, lojtarë të rinj e të vjetër. Atmosfera në grup është shumë e mirë.”
Tifozët?
“Shpresoj që shumë tifozë të vijnë të na shikojnë, do të japim më të mirën në këtë ndeshje.”
Shqipëri do të zhvillojë këtë të martë, duke nisur nga ora 18:00 një ndeshje miqësore me Bullgarinë, që do të luhet në stadiumin “Air Albania”.