Kryetarja e Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut deri në fund të muajit, paralajmëroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski duke shtuar se ka pasur paralajmërime të tilla edhe nga presidenti francez, Emanuel Makron, i cili ishte për vizitë në Shqipëri pas Samitit të Procesit të Berlinit.
“Kryetarja e Komisionit evropian do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, deri në fund të muajit, ndërsa presidenti Makron disa herë shprehi dëshirë, dhe atë publikisht, se në ndonjërën nga vizitat e tij do ta vizitojë vendin tonë. Unë pata disa takime me të, si dhe presidenti i shtetit”, tha Kovaçevski, i cili ishte për vizitë në kompaninë “Vivaks”.
Duke u përgjigjur në pyetjene gazetarëve nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ndahen në samitin e dhjetorit, Kovaçevski tha se ne njëherë u ndamë nga Kroacia kur nuk sollëm vendime dhe se të njejtit ata që nuk sollën vendime, tnai janë kundër vendimeve për integrimet evropiane. Ne me Kroacinë, shtoi ai, filluam së bashku, ata tani janë pjesë e BE-së, vendosën euron dhe janë pjesë e Zonës së Shengenit.
Duke folur për pozicionin e Francës tha se ajo është për zgjerim në këtë moment gjeopolitik në Evropë.
“Nëse e shihni mbështetjen që e jep Franca, atëherë të mos harrojmë se propozimi ynë për kornizë negociuese është përpunuar në kuadër të kryesisë franceze pas plot 17 viteve pritje, kështu që, nëse flasim për kursin e Francës për zgjerim, atëherë nga të gjitha deklaratat e presidentit Makron dhe nga ministrat të cilët e vizituan Maqedoninë e Veriut, bëhet fjalë për shtet i cili është për zgjerim në këtë moment gjeopolitik në Evropë”, tha kryeministri Kovaçevski.
Procesi i zgjerimit, sipas tij, ka filluar dhe shpreson se do të përfundohet. Duke i përmendur porositë nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, Kovaçevski tha se të gjithë mundëm të bindemi në atë që e thanë të gjithë përfaqësuesit e BE-së, si dhe në konferencën për shtyp që e pati presidenti francez, Emanuel Makron gjatë vizitës së tij bilaterale në Shqipëri, se procesi është i hapur,, se në të po punohet dhe ai do të jetë praktikisht në dy staza – njëra është BE-ja të përgatitet deri në vitin 2030 për pranim të vendeve të reja anëtare duke pasur parasysh atë se duhet të funksionojë me më shumë vende-anëtare, ndërkaq nga ana tjetër shtetet t’i përmbushin obligimet e veta.
“Dhe kjo do të thotë se ata të cilët do t’i kryejnë më shpejtë, bëjnë obligime të veta, të cilët më shpejtë do t’i bënë reformat, ata të parët do të hynë në BE. Unë shpresoj se Maqedonia e Veriut do ta ruajë pozicionin e vet prej lideres në pjesën e integrimeve evropiane në rjaon dhe se nuk do të ndodhë ajo që nuk dëshiroj të ndodhë, e ajo është vendet e tjera të shkojnë para nesh, ndërsa ne të qëndrojmë në grupin me Kosovën dhe BeH-në. Me tërë respektin ndaj shteteve, megjithatë konsideroj se ne si shtet, në pajtim me të gjitha performansat, jemi në nivel më të lartë dhe meritojmë të jemi vend i cili i pari do të hyjë në vitin 2030 në BE. Përsëris edhe njëherë, tani prej nesh varet, nuk varet nga askush tjetër”, theksoi kryeministri Kovaçevski.