Liridon Disha nga BDI – kritikon privatizimin e Komunës së Tetovës nga Bilall Kasami

“Kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami, ka kryer punë me kualitet shumë të dobët në rikostruimin e disa rrugëve lokale. Të mos flasim për problemet me ujin e pijshëm dhe pastrimin e mbeturinave që janë problem shumë i madh dhe serioz”, thotë në një prononcim për Politiko.mk, Liridon Disha – këshilltarë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në qytetin e Tetovës.

Ai thotë se edhe përkundër faktit se Kryetari i Komunës ka pasur iniciativë për rikonstruimin e disa rrugëve në qytet (kryesisht rrugë të lagjeve ku ose ka fituar në zgjedhje, ose ka tendenca të fitojë në zgjedhje), punët aty i ka kryer me kualitet shumë të dobët dhe pa projekt të mirfilltë.

“Rruga është asfaltuar sipas programit mbushje gropash, program ky që nuk garanton punë cilësore dhe në të njëjtën kohë është pesëfish më i shtrenjtë. Kasami po ashtu ka përzgjedhur këtë mënyrë për ta tejkaluar Këshillin Komunal si organ më i lartë vendimmarrës i Komunës së Tetovës. Me këtë ne si këshilltarë nuk kemi qasje në punët të cilat i fillon dhe me këtë na mungon edhe mekanizmi i mbikëqyrjes ndaj punimeve. Kjo është edhe arsyeja se pse rrugët kanë nisur, por kanë ngelur përgjysmë. Të vetmet rrugë që janë mbaruar janë ato rrugë të cilat i gjeti si projekte të gatshme nga ish-kryetarja e Komunës Teuta Arifi”, tha Disha për Politiko.mk

Qytetarët e Tetovës, shprehet ai mëtej Disha, vazhdojnë të përballen ende edhe me problemin me ujin e pijshëm.

“Është një problematikë e hershme dhe ka të bëjë sa me rritjen e numrit të banorëve nga 45.000 në 90.000 banorë, brenda 20 viteve të fundit, po aq edhe me gypat e vjetruar të sistemit të ujësjellësit të cilat datojnë prej kohës së ish-Jugosllavisë. Problematika e parë, e rritjes së numrit të banorëve u rregullua në kohën kur BDI udhëhiqte me Komunën. Atëkohë u ndërtua ujësjellësi i ri i cili do t’i plotësonte nevojat e të gjithë qytetarëve, por problematika e gypave të vjetër ngeli një sfidë në vete. Kryetari aktual premtoi se me ardhjen e tij në pushtet komunal, do ta zgjidhë këtë çështje muajt e parë, por siç duket dështoi. Tetovarët ende kanë probleme me ujin e pijshëm edhe pas dy viteve”, theksoi Disha.

Këshilltari i BDI-së gjithashtu nënvizoi se pastrimi i mbeturinave ishte edhe një premtim parazgjedhor i Bilall Kasamit, që nuk gjen dot zgjidhje. Sipas tij, Tetova ende mbytet në mbeturina.

“Mungesa e vizionit dhe ekipit profesioniste të kryetarit të Komunës e detyroi atë të gjejë zgjidhje alternative për këto çështje për të cilat premtoi se do t’i zgjidhte brenda muajsh. Ai vendosi që ta heq përgjegjësinë nga vetja dhe atë ta hedh te Këshilltarët e Lëvizjes Besa duke i detyruar ata të votojnë unanimisht për dhënien me koncesion publiko-privat të këtyre Ndërmarrjeve Publike Komunale. Dhënia me koncesion e Ndërmarrjeve Publike Komunale do tu kushtojë qytetarëve në kosto të shërbimeve sepse do të paguajnë çmime më të larta për shërbimet të cilat deri dje i merrnin me çmime më të ulëta. Kjo nënkupton fatura më të larta për ndriçim publik, ujë të pijshëm, mbeturina dhe kanalizim”, potencoi Liridon Disha, këshilltar i BDI-së në komunën e Tetovës. / Huazuar nga Politiko.mk