Izraeli: Dërgimi i ndihmave nga Egjipti në Gaza do të fillojë “së shpejti”

Zëdhënësi i Zyrës së kryeministrit izraelit, Ofir Gendelman ka deklaruar se “së shpejti” do të dërgohet ndihma humanitare në Rripin e Gazës nga Egjipti.

“Dorëzimi i ndihmës nga pala egjiptiane në Gaza do të fillojë së shpejti”, tha Gendelman për Anadolu, duke mos specifikuar një datë për dorëzimin e ndihmës.

Kamionë me qindra tonë ndihma humanitare janë të parkuara pranë pikës kufitare Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, në pritje të një sinjali të gjelbër nga Izraeli. “Izraeli nuk e kundërshton këtë, por duhet të sigurohet që kjo ndihmë të mos vidhet nga Hamasi”, tha Gandelman.

Izraeli ka nisur fushatë masive ajrore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit në qytetet kufitare izraelite.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelitë që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelitë më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërkohë që uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”.

Që nga 7 tetori, të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërkohë nga pala izraelite janë vrarë mbi 1.405.