“Jo në emrin tonë”, qindra hebrenj në SHBA kërkojnë armëpushim në Gaza – 300 të arrestuar

Qindra demonstrues zbritën në ndërtesën e kongresit në Uashington të mërkurën pasdite për të kërkuar një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, duke rezultuar në rreth 300 arrestime dhe kufizim të hyrjes në Kapitol Hill.

Tubimi u organizua nga dy grupe hebreje anti-sioniste, dhe rreth 400 anëtarë të tyre u mblodhën brenda ndërtesës së zyrës Cannon House, të udhëhequr nga rreth 25 rabinë që lexonin dëshmi nga palestinezët në Gaza dhe duke recituar lutje, raporton New York Times.

Jashtë, qindra të tjerë brohoritën, “Armëpushim tani” dhe “Jo në emrin tonë”, transmeton gazeta online Reporteri.

Demonstratat nuk lejohen në ndërtesat e kongresit. Rreth 300 protestues u arrestuan, vlerësuan organizatorët, ndonëse Policia e Kapitolit nuk do të komentonte numrin, përveçse të thoshte në platformën e mediave sociale X se tre u akuzuan për sulm ndaj një oficeri policie.

Linda Holtzman, një rabinje nga Filadelfia, tha se ajo po protestonte për shkak të besimit, vlerave dhe historisë së saj hebreje, një temë që të pranishmit e tjerë bënë jehonë.

Rabinja Holtzman, e cila tha se ishte e shqetësuar për dhunën që po intensifikohej kundër civilëve në Gaza, tha se gjyshja e saj i mbijetoi Holokaustit dhe se ajo ishte mësuar të luftonte për gjithë jetën njerëzore.

“Aty ku nuk ka drejtësi, unë duhet të jem një zë për drejtësinë”, tha ajo.