Kosovë, diplomojnë 20 vajza në fushën e inxhinierisë

“Numri i vajzave të cilat po përfshihen në teknologji është në rritje dhe se fushat e teknologjisë kanë inspiruar përherë inovacionin duke i dhënë formë botës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Është mbajtur ceremonia e përmbylljes së vitit të parë të programit Global Engineer Girls (GEG) Kosova, ku diplomuan gjithsej 20 studente, raporton Anadolu.

Në një ceremoni të organizuar nga Limak Kosova, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministra të kabinetit qeveritar, rektorë të universiteteve publike në Kosovë dhe mentorë të shumtë të projektit si dhe përfitues të programit.

Në këtë event u tha se ceremonia dëshmon angazhimin e promovimit të arsimit në shkencat e teknologjisë dhe edukimin e vajzave të reja për karrierë të suksesshme në inxhinieri.

Osmani tha se është përgjegjësi e institucioneve që të krijojnë kushte që vajzat t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

“Këto vajza të reja janë me të vërtetë shembulli më i mirë i potencialit të rinisë tonë të jashtëzakonshme, sukseset e të cilëve nuk njohin kufij. Detyra jonë si shtet dhe shoqëri është që të sigurojmë që çdo grua dhe çdo vajzë të ndjehet e fuqizuar, e vlerësuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e tyre, pa marrë parasysh fushën dhe rrugëtimin që kanë zgjedhur”, theksoi Osmani.

Ajo tha numri i vajzave të cilat po përfshihen në teknologji është në rritje dhe se fushat e teknologjisë kanë inspiruar përherë inovacionin duke i dhënë formë botës.

Drejtuesja e Grupit LIMAK, Ebru Özdemir e vlerësoi lartë këtë arritje të vajzave, duke e konsideruar moment të veçantë për Kosovën, pasi, siç tha ajo, 20 studente kanë arritur të lënë shenjë në fushën e inxhinierisë, e që sipas saj, është fushë shumë e rëndësishme.

“Pra, ajo çfarë bëjmë ne është se ndërtojmë një rrjet me inxhiniere gra nga vende të ndryshme. Filluam nga Turkiye, tani jemi në Kuvajt, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Tani jemi duke e hapur programin GEG në gjeografi të reja. Shpresa ime është që të krijojmë një bashkësi inxhinieresh gra, gjë që është shumë me rëndësi për ta bërë botën vend më të mirë”, theksoi Özdemir.

Ajo tha se qëllimi me të diplomuarit nuk është vetëm të ndërtohen kompani të qëndrueshme, por, të ndikohet në biznes dhe te të rinjtë.

Global Engineer Girls Kosovo (GEG) është themeluar në vitin 2022, në partneritet me Limak Kosova dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP). Nisma filantropike mbështet studentet femra të regjistruara në arsimin inxhinierik duke ofruar bursa dhe akses në programet e mentorimit, mundësitë e rrjetëzimit dhe kurset për zhvillim personal dhe profesional.