Lufta në Gaza, Papa bën thirrje për të parandaluar “katastrofën humanitare”

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku, pas sulmit të Izraelit në një spital në Gaza, tha se situata në Gaza është e pashpresë duke bërë thirrje për parandalimin e një fatkeqësie humanitare.

Papa foli rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme në seancën e pritjes së përgjithshme të mbajtur të mërkurave në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

“Sot mendimet tona shkojnë në Palestinë dhe Izrael. Rritet numri i të vdekurve. Gjendja në Gaza është e pashpresë. Ju lutem bëni gjithçka që është e mundur për të parandaluar katastrofën humanitare”, tha Papa.

Sipas tij, në një periudhë kur shumë fronte lufte janë të hapura në botë, është tejet shqetësuese zgjerimi i konfliktit. “Le të heshtin armët, le të dëgjohen britmat e të varfërve, njerëzve dhe fëmijëve për paqe”, u shpreh ai.

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve përsëriti thirrjen e tij për paqe dhe njoftoi se ata do të mbajnë një ditë lutjeje për paqe me një ngjarje publike në Vatikan të premten, më 27 tetor.

Ai ftoi edhe përfaqësuesit e sekteve të tjera të krishterëve si dhe të besimeve të tjera, ndërsa kërkoi të bëhen lutje edhe për Ukrainën.