Sot në ITSHKSH u promovua libri “Nëna Terezë, dashuria në veprim” i autorit Don Lush Gjergji, ngjarje kjo që përkon me 20 vjetorin e lumturimit të Nënës Terezë. I pranishëm në promovim ishte autori, kryeredaktori i revistës “Drita”, Dom Fatmir Koliqi si dhe një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të librit dhe punonjësve shkencorë të ITSHKSH.
Drejtori i Institutit, Prof.dr.Skender Asani, pasi foli për rëndësinë e këtij botimi që vjen në një kohë, siç tha ai, kur në botë po ndodhin konflikte dhe tragjedi njerëzore u ndërlidh pastaj me vet përmbajtje e librit. Sipas tij duke shtruar pyetje, Don Lush Gjergji e sprovon veten në ballafaqimin më qenësor me të thënat dhe të pathënat e korpusit të madh tematik e përmbajtjesor të jetës dhe veprës së Nënës Terezë.
Përshkrimin më autentik që i atribuohet formimit të Gonxhe Bojaxhiut në vitet e saja fëmijërore dhe rinore, autori na e pikturon përmes një skalitje brilante fjalësh që i përshtaten karakterit të personazhit të tij: “Gonxhja e kishte “kryer shkollën e “mirësisë” në rrethin familjar dhe famullitar, sepse kishte lindur dhe ishte rritur në një familje ku jetohej dhe ushqehej dashuria, bamirësia, bujaria dhe kujdesi për të afërmin”, nënvizoi Asani.
Për disa aspekte përmbajtjesore e tematike të librit foli edhe Don Fatmir Koliqi, në emër të shtëpisë botuese “Drita”, sipas të cilit këtij libri i shtohet vlera, jo vetëm sepse është në tri gjuhë por edhe sepse është një doracak, të cilët më vështirë shkruhen, sidomos nga ata që e njohin thellësisht një personalitete.
“Ky është një doracak për shenjtëreshën tonë Nënë Tereza, për ta njohur edhe si vajzë, si një personalitet i cili ka dalë nga familjet tona dhe se familjet tona nuk janë të vogla as nuk janë të parëndësishme, por nga këto familje mund të dalin jo vetëm intelektualë, por edhe shenjtër të dimensioneve botërore”, u shpreh Koliqi.
Një përmbyllje kuptimplote e këtij promovimi u bë me fjalën e autorit libri Don Lush Gjergji, i cili pasi foli për gjenezën e ndërtimit të materies së këtij libri që kishte filluar me një botim në gjuhën italiane nga shtëpia botuese “Velar”, si produkt i disa ligjëratave radiofnike që i kishte mbajtur autori për një radio italiane, u ndal në botimin që u promovua në ITSHKSH.
Sipas tij e veçanta e këtij botimi është gjuha maqedonase, një mundësi kjo komunikimi i këtij libri me lexuesit maqedonas. Në këtë mënyrë, tha ai, ofrohet një horizont më i gjerë i këndvështrimit me një publik i cili në të kaluarën ka mundur të jetë edhe i lajthitur për sa i përket origjinës etnike të Nënës Terezë.