Nokia planifikon të pushojë nga puna deri në 14 mijë punonjës

Furnizuesi finlandez i pajisjeve të rrjetit pa tel dhe fiks tha se masat e planifikuara synojnë uljen e kostos dhe rritjen e efikasitetit operacional

Kompania finlandeze e telekomunikacionit Nokia planifikon të pushojë nga puna rreth 14 mijë punonjës deri në fund të vitit 2026 për të ulur kostot, raporton Anadolu.

Furnizuesi finlandez i pajisjeve të rrjetit pa tel dhe fiks tha se masat e planifikuara synojnë reduktimin e kostos dhe rritjen e efikasitetit operacional “për të ecur në pasigurinë aktuale të tregut”.

Kompania tha se synon të zvogëlojë bazën e saj të kostos midis 800 milionë dhe 1.2 miliardë euro deri në fund të vitit 2026. Kjo duhet të çojë në një reduktim të numrit të punonjësve nga 86 mijë sa ka aktualisht, në 72 mijë apo 77 mijë.

Shitjet e Nokia-s në tremujorin e tretë ranë 20 për qind në 4.98 miliardë euro nga 6.24 miliardë, krahasuar me të njëjtën periudhë tre mujore të vitit të kaluar.

Nokia dikur ishte prodhuesi më i madh i telefonave celularë në botë, por nuk arriti të parashikonte popullaritetin e telefonave me ekran me prekje me akses në internet si iPhone i Apple dhe Galaxy i Samsung.

Nokia është një nga furnizuesit kryesorë në botë të 5G, gjenerata e fundit e teknologjisë ‘broadband’, së bashku me kompaninë suedeze Ericsson, atë kineze Huawei dhe Samsung të Koresë së Jugut.

Në fillim të këtij viti, Ericsson paralajmëroi shkurtimin e 8 për qind të fuqisë punëtore globale për të ulur kostot.