Petrit Saraçini, nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) në një prononcim për portalin “Politiko.mk” thotë se është e mundur që një pjesë e deputetëve të opozitares VMRO-DPMNE ti votojnë ndryshimet kushtetuese dhe me këtë Maqedonia e Veriut ta vazhdojë rrugëtimin e saj pa pengesa drejt Bashkimit Evropian (BE).
“Është e mundur, siç edhe spekulohet në opinion, për ndryshimet kushtetuese të votojë një pjesë e deputetëve të VMRO-së njësoj sikur për ndryshimet kushtetuese pas Marrëveshjes së Prespës, spekulime që u bënë edhe më të besueshme pas ndarjeve dhe zënkave brenda-partiake mes Hristijan Mickoskit dhe përkrahësve të tij dhe atyre që akoma ndjekin ish-liderin partiak të ikur në Hungari, Nikolla Gruevski”, deklaroi Saraçini për Politiko.mk
I pyetur nëse me votimin e ndryshimeve kushtetuese nga një pjesë e deputetëve të opozitares VMRO-DPMNE, a do të dorë-hiqet edhe Hristijan Mickoski nga kreu partiak, pasi që vetë ka deklaruar se nëse edhe një deputet i vetëm nga opozita voton ndryshime kushtetuese, ai do të tërhiqet nga politika, Saraçini shprehet skeptikë, siç thotë “Mickoski disa herë i ka shkelë premtimet e veta”.
“Mickoski ka dhënë deklarata se do të japë dorëheqje edhe më parë, për shembull ashtu deklaronte para zgjedhjeve të kaluara parlamentare në vitin 2020, kur thoshte se nëse i humb zgjedhjet do të dorë-hiqet nga pozita e tij. Ai atëherë i humbi zgjedhjet dhe i hëngri fjalët e veta. Nuk besoj se Mickoski do të japë dorëheqje vet. Mirëpo pozita e tij mund të rrezikohet në qoftë se vazhdojnë konfliktet dhe ndarjet brenda partisë së tij”, potencoi Saraçini. (Poltiko.mk)