Scheindlin: Vizita e Presidentit Biden solidarizim me Izraelin, por rreziku për përshkallëzim rajonal mbetet i lartë

Sipas ekspertëve në Izrael, vizita e sotme e Presidentit Biden në Tel Aviv synon parandalimin e zgjerimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në një konflikt rajonal.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analistja politike Dahlia Scheindlin, nga Tel Avivi thotë se ndërkohë që vizita e Presidentit Biden është tejet e rëndësishme për moralin e izraelitëve, në Lindjen e Mesme vazhdon të mbretërojë rreziku i madh i përshkallëzimit rajonal. Në një intervistë, ekspertja izraelite Scheindlin, kolumniste në të përditshmen izraelite Haaretz, thotë se lufta midis Izraelit dhe Hamasit kërkon një zgjidhje gjithpërfshirëse politike dhe jo menaxhim të vazhdueshëm konfliktesh.Zëri i Amerikës: Si po interpretohet vizita e Presidentit Biden në Izrael dhe çfarë pritet të arrijë ajo?

Dahlia Scheindlin: Nuk ka dyshim se izraelitët e shohin si gjest të madh solidariteti. Është shumë e rëndësishme për moralin e izraelitëve, të cilët po kalojnë nëpër tronditjen më të madhe në historinë e shtetit, po ndihen të dërmuar dhe në gjendje lufte, andaj vizita e Presidentit Biden është një përkrahje e madhe morale dhe e bën Kryeministrin Netanyahu të duket si një burrështeti i rëndësishëm. Ky është kryeministër që është shumë i kritikuar në Izrael. Gjatë tërë vitit është kritikuar për politikat e ndjekura, që publiku izraelit i kundërshton ashpër. Andaj publiku izraelit e sheh si solidarizim, por edhe si një përkrahje që presidenti amerikan i jep kryeministrit (izraelit). Ndonëse nuk është plotësisht e paprecedent, është gjithsesi e pazakontë, që një president amerikan të ndërmarrë një vizitë të tillë në një zonë aktive lufte brenda një afati të shkurtë. Pra, është shumë kuptimplotë.