Hapet qendra tregtare “Diamond Mall” në Shkup, Grubi: Investim i rëndësishëm ekonomik që do të sigurojë vende të reja pune

Diamond Mall është qendra me e re tregtare në qytetin e Shkupit, e cila sot përmes një ceremonie solemne hapi dyert për të gjithë qytetarët.

I pranishëm në ceremoninë kryesore ishte dhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Grubi përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka uruar investitorët teksa shton se ky investim është impakt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, duke krijuar vende të reja të punës.

Statusi i plotë:

Bashkë me Kryeministrin Kovaçevski dhe kolegët ministra morëm sot pjesë në hapjen solemne të investimit më të ri në vend, Qendrës Tregtare “Diamond Mall”.

Përgëzuam udhëqësinë e grupacionit Limak në krye me z. Nihat Özdemir për realizimin e këtij projekti bashkëkohor me impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe inovacionit hapësinor në shërbim të nevojave tregtare të qytetarëve të vendit.

Theksojmë se Diamond Mall është pjesë e projektit multifunksional “Diamond of Skopje”, dhe do të sigurojë më shumë se 1.000 vende pune.