Nxënësit u nënshtrohen testimeve ndërkombëtare nëpër laptopë që i shpërndan Qendra Shtetërore e Provimeve

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajllovska, thotë se ka mungesë pajisjesh kompjuterike nëpër shkolla, pajisje të cilat janë të nevojshme jo vetëm për realizimin e testimeve, por edhe për zhvillimin e procesit mësimor, shkruan Meta.mk.

Testimet ndërkombëtare në nivel botëror, të cilëve u nënshtrohen nxënësit tanë siç janë PIRLS, TIMSS dhe PISA, realizohen me laptopë që nëpër shkolla i sjellin të punësuarit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) sepse shumica e shkollave në vend nuk kanë pajisje kompjuterike. Të gjitha organizatat që i organizojnë këto testime voluminoze ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë dhjetëra vende insistojnë që procesi i testimit të zhvillohet në kompjuter, e jo në letër.

Testimi i studimit ndërkombëtar PIRLS për kontrollimin e aftësimit të nxënësve të moshës 9 dhe 10 vjeçare për lexim me kuptim këtë vit u zhvillua në letër. Mirëpo, duke filluar nga viti 2026 ai do të zhvillohet në formë elektronike. Në Maqedoni për herë të parë pesëmbëdhjetë vjeçarët i zhvilluan në kompjuter kur u zbatua testimi PISA vitin e kaluar. Edhe testimi TIMSS këtë vit u realizua në kompjuter.

Për nevojën e pajisjeve kompjuterike nëpër shkolla Meta.mk bisedoi me Drejtoreshën e re të QSHP-së, Biljana Mihajllovska.

Ne e thyem akullin me PISA 2022, nxënësit 15 vjeçarë i testuam në mënyrë elektronike. Te më të vegjëlit, TIMSS 2023 u realizua në klasën e katërt, gjithashtu në mënyrë elektronike. Fëmijët nuk patën asnjë problem. Sa i përket mënyrës se si e realizojmë teknikisht procesin, ka performansa të caktuara që kërkohen sa i përket hardverit dhe softuerit, që të mund të realizohet testimi. Që të jemi të sigurt se nuk do të kemi problem, i dërgojmë laptopët tanë nëpër shkolla”, thotë drejtoresha e QSHP-së.

Në laptopë është e vendosur paketa me pyetje që duhet t’u japë përgjigje një nxënës konkret. Në ato shkolla ku ka lidhje të mirë të internetit nxënësit mund t’i marrin testimet online ose paketa mund të shkarkohet në kompjuterin konkret, e kështu të zgjidhen detyrat dhe të dërgohen në bazë.

“Kur të realizohet PIRLS-i në vitin 2026, do të jetë interesante të bëjmë një krahasim të rezultateve me vitin 2021, kur testimi u zhvillua në letër, për dallim nga ato të vitit 2026 që do të zhvillohen në kompjuter”, shton Mihajllovska.

Sipas saj, ka shumë arsye se pse duhet të ketë pajisje kompjuterike nëpër shkolla, duke pasur parasysh atë se pikërisht këto pajisje janë parakusht për realizimin e edukimit digjital si një nga edukimet dhe synimet kryesore të BE 2030.

“Organizatat e tipit të UNESCO-s ose BE-së, e edukimin digjital e konsiderojnë si edukim bazë, të barabartë me edukimin gjuhësor, të barabartë me edukimin matematikor. Është diçka e kohës. Ne kësaj duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje. Pajisjet nuk na nevojiten vetëm për testimet, por edhe për procesin mësimor në tërësi. Na nevojiten për të kultivuar breza modernë”, thotë Mihajllovska.

Shumica e shkollave në vend nuk janë të pajisura në mënyrë të adekuate me kompjuterë. Mungesa e kompjuterëve dhe pajisjeve kompjuterike në mësim është një nga anët e dobëta më të shpeshta që e shënuan inspektorët e arsimit në raportet e tyre gjatë vlerësimit të punës së shkollave në Maqedoni.

“Sa i përket mësimit të TKI-së problemi qëndron në atë se shkollat nuk janë mjaftueshëm të pajisura me kompjuterë, ose atje ku ka, nuk përdoren”, thuhet në raportin e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Në arsimin e Maqedonisë, pajisje kompjuterike për të gjithë nxënësit për herë të fundit janë prokuruar para 14 vitesh. Mirëpo, që në vitet e para projekti përjetoi fiasko sepse u vodhën pjesë të kompjuterëve dhe për këtë thuajse askush nuk mbajti përgjegjësi. Pjesa më e madhe e pajisjeve sot gjendet nëpër kabinete ose janë nxjerrë nga shkollat sepse janë jofunksionale dhe të papërdorshme. Prej atëherë, vetëm disa komuna herë pas here furnizohen me tabletë për nevojat e mësimdhënies, më së shpeshti nga donacionet.