

Kina ka rritur ndjeshëm arsenalin bërthamor. Sipas një raporti vjetor të lëshuar nga Pentagoni, Kina pritet të tejkalojë parashikimet ushtarake në ndërtimin e arsenalit bërthamor. Sipas këtij raporti, Pekini zyrtar tashmë ka 500 koka me mbushje bërthamore në arsenalin e tij, të cilin ka synim ta dyfishojë deri në vitin 2030, duke vazhduar një modernizim të shpejtë që synon të përmbushë objektivin për të pasur një ushtri “të klasit botëror” deri në vitin 2049. Kina po përdor reaktorë dhe struktura më të reja përpunimi për të prodhuar plutonium për programin e saj të armëve bërthamore. Sipas shifrave të buxhetit publik, shpenzimet ushtarake të Kinës për vitin 2023 u rritën me 7.2% në 216 miliardë dollarë amerikanë, duke tejkaluar rritjen e saj ekonomike. Pekini thotë se zbaton një politikë ushtarake mbrojtëse për të mbrojtur interesat e vendit. Pekini tashmë zotëron një ushtri në këmbë prej më shumë se një milion ushtarësh, marina më e madhe në botë për nga numri i anijeve dhe forca ajrore më e madhe në rajon. /Alsat.mk