Sot në Bruksel, Maqedonia e Veriut filloi skriningun bilateral për Kapitullin 33 – “Dispozitat financiare dhe buxhetore” pjesë e Klasterit 5 “Resurset, bujqësia dhe kohezioni”.
Në fjalën e saj hyrëse para ekspertëve të Komisionit Evropian, zv.kryenegociatorja me BE-në dhe Sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE), Drita Abdiu-Halili theksoi se si një vend që ka zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) për pothuajse 20 vjet, Maqedonia e Veriut ka harmonizuar vazhdimisht legjislacionin nacional në këtë fushë, dhe kemi punuar në forcimin e kapaciteteve administrative dhe zhvillimin e sistemeve të IT-së, si pjesë të procesit për digjitalizimin e shërbimeve.
“Disa nga zhvillimet më të fundit përfshijnë miratimin e Ligjit të ri për Buxhet organik që është pjesë e reformës në financat publike. Këshilli Fiskal tashmë është themeluar nga Kuvendi në shtator 2023″ theksoi mes tjerash Abdiu Halili.
Delegacionin shtetëror për Kapitullin 33, i cili kryesohet nga Ministria e Financave, e përbëjnë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera relevante si: Drejtoria e të ardhurave publike, Administrata doganore, Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Enti shtetëror statistikor si dhe Sekretariati për çështje evropiane.
Takimet e ardhshme të skriningut bilateral me Komisionin Evropian për Kapitullin 13 – Peshkataria, janë paraparë të mbahen me 26 dhe 27 tetor në Bruksel.