Spasovski: Jemi duke monitoruar situatën e sigurisë, po analizohen të gjitha aktivitetet

Ngjarjet në nivel gjeostrategjik ndikojnë seriozisht në gjendjen e sigurisë. Shërbimet e sigurisë janë të konsoliduara dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me qëllim për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e vendit, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Të gjitha zhvillimet në nivelin gjeostrategjik ndikojnë seriozisht në gjendjen e sigurisë, por dhe në zhvillimet në rajon sepse jemi një rajon i brishtë në aspektin e sigurisë. Kemi çështje të hapura që duhet të zgjidhen përmes dialogut. Fatkeqësisht, në shekullin e 21-të kemi një agresion rus ndaj Ukrainës dhe për momentin kemi edhe një krizë të re sigurie në Izrael. E gjithë kjo implikon se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të gjitha shërbimet e sigurisë të punojnë në mënyrë të konsoliduar. Ndjekim orë pas ore dhe analizohen të gjitha aktivitetet”, ka thënë Spasovski në emisionin “Trilling” në Televizionin 24.

Sa i takon ligjit për amnisti, Spasovski ka përsëritur se qëndrimi i tij personal është se një ligj i tillë nuk duhet të miratohet.

“Konsideroj se nuk ka asnjë arsye të vetme që do të arsyetonte miratimin e ligjit për amnisti. Nëse shkaku është funksionaliteti i sistemit të realizimit të sanksioneve – se do të lirohen më shumë vende, do të relaksohen institucionet ndëshkuese- përmirësuese, analizën të cilën e ka bërë nga Agjencia për kryerjen e sanksioneve në lidhje me zgjidhjen ligjore është se 260 persona do të mund të amnistohen për vepra penale që nuk kanë lidhje me ato për të cilat flasim: korrupsion i lartë etj., por thjesht janë vjedhje, grabitje, rendi dhe qetësi publike, trafik… E gjithë kjo nuk do të kontribuojë në relaksimin e sistemit. Përkundrazi, konsideroj se praktika dëshmon se po këta persona për një kohë shumë të shkurtër përsëri bëhen problem dhe kthehen në institucionet ndëshkuese- përmirësuese”, ka thënë Spasovski.

Rreth mundësisë së kthimit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski në vend, Spasovski tha se nuk ka ndonjë mënyrë se si të të kthehet dhe të mos ketë përgjegjësi.