Takim i ministrit Lloga me kryetaren e Odës së përmbaruesve

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka realizuar takim me kryetaren e sapozgjedhur të Odës së përmbaruesve, Vesna Dellovska, së cilës i uroi suksese në detyrë dhe ia shprehi kënaqësinë për qasjen e saj konstruktive dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkët të të gjitha sfidave, me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe përmbaruesit në punën e tyre të përditshme.

Siç informon Ministria e Drejtësisë, në takim është diskutuar për ndryshimet ligjore për të gjetur zgjidhjet më të mira, sfidat e përmbaruesve, si dhe kërkesat dhe problemet e qytetarëve.

Në takim u diskutua edhe për mbikëqyrjen në punën e përmbaruesve, me qëllim të tejkalimit të çdo problemi, keqkuptimi, si dhe për zgjidhjen e vërejtjeve të qytetarëve.

“Ftojmë qytetarët që në të ardhmen, të gjitha ankesat dhe problemet t’i adresojnë në Odën e Përmbaruesve si dhe në Ministrinë e Drejtësisë”, thuhet në kumtesë.