Skuadra nga MLS, Inter Majami, dëshiron të vazhdojë projektin e tyre ‘mini Barcelona’ në Florida me ardhjen e Messit të ndjekur nga lëvizjet e ish-yjeve të Blaugranave, Serhio Buskets dhe Zhordi Alba. Suarez më parë la të kuptohej se dëshira e tij ishte për t’u bërë ish-ylli i katërt i “Camp Nou” në Majami, por ai mbetet ende në Gremio.
Me Inter Majamin të vendosur për të përfunduar sezonin e tyre në MLS në ditët në vijim, trajneri i tyre Tata Martino konfirmoi se ata po bëjnë plane të mundshme transferimi, duke përfshirë një tentim transferimi për Suarezin.
“Brenda analizës sonë për sezonin e ardhshëm dhe nevojave që mund të kemi, ne kemi një analizë me Luisin dhe pa Luisin”, ka thënë fillimisht Martino për “ESPN.”
“Kur të vijë koha për të zyrtarizuar situatën e Suarezit te Inter Majami, ne do të jemi të përgatitur të shkojmë në drejtimin përkatës”, përfundoi ai.
Gremio tashmë ka konfirmuar planin e tyre për ta liruar Suarezin më herët nga kontrata e tij, pasi arritën në një marrëveshje me ish-yllin e Barcelonës, i cili tani do të largohet nga klubi në dhjetor. Një lëvizje në SHBA do të ishte gjithashtu e dobishme për Suarezin, në vitet e fundit të karrierës së tij, me uruguaianin që pranon se liga braziliane po e dëmton trupin e tij.