Nëna e Ritës tregoi se si sëmundja e preku kur ishte 39 vjeçe dhe që për të ishte një periudhë mjaft e vështirë.
Vera Ora është nëna e këngëtares së famshme shqiptare, Rita Ora. Së fundmi, ajo ka dhënë një intervistë ku ka bërë një rrëfim shumë prekës. Vera ka folur për betejën e saj me sëmundjen e rëndë me kancer.
Nëna e Ritës tregoi se si sëmundja e preku kur ishte 39 vjeçe dhe që për të ishte një periudhë mjaft e vështirë.
“Në atë kohë i kam pasur fëmijët e vegjël edhe s’kam punuar, jam marrë me sëmundjen, me terapinë e cila ka qenë mjaft e gjatë e mjaft e mundimshme, e unë si femër kam qenë mjaft e prekur në shumë aspekte”, tha ajo.
Vera tregon që në atë kohë, rreth vitit 2006, kanceri nuk ka qenë shumë i përhapur te femrat më të reja, e që ajo nuk kishte ndonjë shenjë që kishte kancer, e për këtë, doktorët nuk i rekomanduan që ajo të bënte mamogram.
“Thashë diçka nuk është në rregull dhe më tha doktori je e re, nuk ke ndonjë shenjë të kancerit, nuk ndodh te moshat kaq të reja. Edhe i thashë e dua një mamogram. Pasi e bëra më thirrën urgjentisht dhe mjeku u ndje shumë keq, sepse thoshte që s’të kam ekzaminuar siç duhet. E unë në ato momente isha në një kaos mendor, nuk ia vura veshin dhe aty filloi ajo rutina, diagnoztikimi, tretmani, operimi, terapia”, rrëfen ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.
Më pas Vera e vijon rrëfimin:
“Kam kërkuar të kem terapi nga psikologu, kam qarë, jam ndjerë shumë e zhgënjyer me faktin që ka ndodhë, por, tu i pasur edhe fëmijët e dija që duhet me u tregu që nuk bën me u dorëzuar për shumëçka”.
Ora rrëfen se njëra ndër shkaqet kryesore të sëmundjes së kancerit është edhe mënyra e të ushqyerit. Nëna e Rita Orës u shpreh se ushqimet e procesume janë shumë të rrezikshme.
“Këto janë shumë të rrezikshme, por janë më të dëshirueshme sesa ushqimi i shëndetshëm”, thotë ajo. Ndër tjerash Ora shtoi se beson që stresi ka qenë arsyeja më e madhe e sëmundjes së kancerit.
“Ushtrimet e ndryshme, ushqimi i shëndetshëm ndikon në uljen e stresit”, ka thënë Ora.