Oda e Farmacistëve ka njoftuar se ka vdekur farmacistja Fatlinda Drejta – Krahoda.
Oda ka njoftuar se Drejta – Karahoda ishte magjistër e Farmacisë me përvojë më shumë se 37-vjeçare në menaxhim të institucioneve të pavarura shëndetësore farmaceutike si dhe angazhim profesional në institucione edukativo-arsimore.
“Mr Ph Fatlinda u lind në Vushtrri më 14.03.1967. Shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë. Studimet universitare i ka ndjekur në Fakultetin e Farmacisë, Universiteti i Beogradit ku edhe diplomoi në vitin 1993. Nga viti 1997 ishte pronare dhe farmaciste përgjegjëse në Barnatore ‘A’ në Prishtinë. Në periudhën 2003-2010 ishte nënkryetare e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës (SHFARMK), ku ishte jashtëzakonisht e angazhuar dhe aktive duke shprehur interesim të madh për të përmirësuar kushtet në fushën e farmacisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se nga viti 2004, ajo u angazhua si bashkëpunëtore profesionale në Ministrinë e Shëndetësisë, ku për vite me radhë shërbeu si anëtare e Bordit për Regjistrim dhe Licencim të profesionistëve shëndetësor.
Së fundmi, ajo ishte anëtare e grupit punues për hartimin dhe ndryshimin e legjislacionit për produkte dhe pajisje medicinale.
“Kontributi i saj ishte i jashtëzakonshëm edhe në edukimin e brezave të rinj. Që nga viti 2005, Mr Ph Fatlinda ishte profesoreshë e Lëndëve Farmaceutike në Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Ali Sokoli’ si dhe e udhëhoqi shkollën si ushtruese e detyrës së drejtorit në periudhën 2020-2021. Në periudhën 2018 – 2022 ishte zv. kryetare e Komisionit për Praktikën Private Profesionale në kuadër të Odës së Farmacistëve të Kosovës Puna dhe përkushtimi i saj janë shembuj të profesionalizmit dhe dashurisë për fushën e farmacisë dhe do të mbahen mend përgjithmonë”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se ceremonia e varrimit do të mbahet të hënën në orën 13:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.