Së shpejti do të mund të flasim me qentë tanë?!

A do të mund të flasim me kafshët me ndihmën e inteligjencës artificiale në të ardhmen?

Zhvillimi i fjalës dhe gjuhës është një nga enigmat më të mëdha evolucionare që ka interesuar shkencëtarët për dekada. Në të njëjtën kohë, mbizotëron mendimi se të folurit dhe gjuha janë aftësi unike e vetëm njerëzve për shkak të kompleksitetit të tyre.

Babai i gjuhësisë moderne, amerikani Noam Chomsky, shpiku termin “gramatikë universale” duke argumentuar se të gjithë fëmijët lindin me një grup të gatshëm rregullash gramatikore mendore, sipas të cilave ata mund të krijojnë fjali që nuk i kanë dëgjuar kurrë më parë.

Sipas Chomsky, kjo shpjegon pse fëmijët mësojnë lehtësisht rregullat dhe ritmet komplekse të gjuhës: ata tashmë i “dinë” këto rregulla sepse janë pjesë e aftësisë së tyre biologjike. Gjuha, pohon gjuhëtari i famshëm, është një pjesë thelbësore e mendjes.

Psikologu evolucionar Steven Pinker gjithashtu beson se aftësia për të folur është e lindur, por ndryshe nga Chomsky, ai beson se zhvillimi i gjuhës është një produkt i drejtpërdrejtë i seleksionimit natyror. Pinker beson se gjuha u zhvillua 50,000 ose 60,000 vjet më parë për shkak të presionit evolucionar.

Gjuha evoluoi sepse u dha njerëzve një avantazh në tregun e riprodhimit, përfundon Pinker në bestsellerin e tij The Language Instinct.
Ai thekson se njerëzit që ishin komunikues më të mirë i shpëtuan grabitqarëve më lehtë, gjë që rriti shanset e tyre për të mbijetuar aq gjatë sa të kishin pasardhës dhe në këtë mënyrë t’i kalonin gjenet e tyre brezit të ardhshëm.

Por a mund të flasin kafshët?

Shumë kafshë bëjnë tinguj, disa prej të cilëve përdoren për të komunikuar informacion. Studiuesit kanë zbuluar tashmë aftësinë e të mësuarit vokal të një sërë speciesh, duke përfshirë zogjtë këngëtarë, papagajtë, balenat, elefantët dhe lakuriqët e natës. Gjithashtu, hulumtimi i publikuar në vitin 2018 tregoi se orkat, ose balenat vrasëse, kanë aftësinë të imitojnë ndërlikimet e të folurit njerëzor.