“Keni kohë 48 orë”, “Komitët” me tone kërcënuese ndaj Arsovskës, i shpallin “luftë” Qytetit të Shkupit

Nëpërmes një reagimi në rrjetet sociale, tifo-grupi maqedonas, “Komiti”, me tone kërcënuese në mëngjesin e sotëm ka dërguar apel deri tek kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe kryetari i këshillit të qytetit, Trajko Slaveski.

Në reagimin e tyre, ata kërkojnë që Qyteti i Shkupit brenda 48 orëve t’i dorëzojë mjetet në formë ndihme për ekipin e Vardarit, që muaj më parë këshilli e votoi një gjë të tillë.
Sipas tyre, neglizhenca institucionale që po i bën qyteti dhe akuzat e ndërsjella politike po e çojnë në humnerë klubin e Vardarit, transmeton indeks.mk

“I apelojmë kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Slavevski dhe kryetares Danela Arsovska që mjetet financiare të dedikuara për KF Vardar, të votuara unanimisht më 20.07.2023, të ndahen menjëherë. Nuk keni më kohë për të pritur!

Pasiviteti juaj në raport me FC Vardarin dhe bartja e ndërsjellë e përgjegjësisë janë të papranueshme. Nuk do të pranojmë kurrë që dikush të ketë një qëndrim të tillë ndaj klubit të popullit. Prandaj, ne bëjmë një kërkesë të qartë – veproni tani!

Nëse nuk veproni dhe nuk zbatoni vendimin brenda 48 orëve, ju njoftojmë radikalizimin e luftës. Mos lejoni që njerëzit të ju kujtojnë si njerëz që me ose pa vetëdije sabotuan klubin. Mos na detyroni që edhe njëherë të flasim për gjëra të njëjta dhe çështje të tilla. Vardari mbi të gjitha”, kanë shkruar tifo grupi maqedonas, transmeton indeks.mk/