Sot janë bërë një muaj prej kur një formacion ushtarako-policor serb organizoi një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, lidhur me këtë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë Serbia e rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin e Kosovës as nuk i ka zbehur e as nuk i ka harruar që nga koha e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq
“Sot janë bërë 1 muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, sulm ky i organizuar dhe financuar nga shteti i Serbisë. Ky sulm i realizuar nga grupe të trajnuara e të armatosura rëndë nga Serbia, mori jetën e Rreshter Afrim Bunjakut dhe kishte për qëllim të realizonte atë që Rusia bëri në Donbas, aneksimin e veriut të vendit tonë. Të gjitha faktet që dëshmojnë përfshirjen e plotë të Serbisë në këtë sulm terrorist i kemi ofruar për qytetarët tanë e për opinionin ndërkombëtar. Me këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin tonë as nuk i ka zbehur as nuk i ka harruar që nga koha e kasapit të Ballkanit Millosheviq”, ka thënë Sveçla në Facebook.