Zllatan Ellek, kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë

Zllatan Ellek është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re. Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiq. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit. Këto ndryshime në lidershipin e Listës Serbe po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë. Ai është duke u hetuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. /Alsat.mk